Autor
Joan Kolev
Lajm
Gjeopolitika dhe bullgarët jashtë vendit, në fokus të garës presidenciale
Enjte 24 Shtator 2026 19:12
Enjte, 24 Shtator 2026, 19:12
FOTO: president.bg
Madhësia e shkronjave
Na ndajnë vetëm disa orë nga nisja e fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në vend, të cilat do të mbahen saktësisht pas një muaji, më 25 tetor. Ndonëse janë zgjedhje të rregullta, ato u paraprinë nga një ngjarje pa precedent në historinë politike të Bullgarisë.
Në fillim të këtij viti, me një mesazh drejtuar kombit, presidenti i pestë i vendit, Rumen Radev, njoftoi se jepte dorëheqjen një vit para përfundimit të mandatit të tij. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 19 prillit, koalicioni “Bullgaria Progresive”, ideologu i të cilit është Radev, fitoi shumicën e plotë parlamentare.
Kjo i mundësoi atij të formojë një qeveri njëpartiake dhe të bëhet presidenti i parë i Bullgarisë që ka arritur të jetë njëkohësisht edhe kryeministër i vendit.
- Rumen Radev do të marrë pjesë me një koalicion në zgjedhjet parlamentare
- Rumen Radev paraqiti pikëpamjet e tij politike para një botimi gjerman
- Rumen Radev: Besoj se me përpjekje të përbashkëta mund ta ndryshojmë Bullgarinë
- Dorëheqja e Presidentit Rumen Radev përmbushi pritjet e shoqërisë
- Rumen Radev shpalli se largohet nga posti i presidentit dhe jep dorëheqjen
Sipas Kushtetutës,
mandati i presidentit mund të përfundohet nga zëvendëspresidenti i tij në rast
se presidenti shkarkohet, largohet para kohe nga detyra ose ndërron jetë gjatë
mandatit. Duke u gjendur në rastin e dytë të parashikuar nga Kushtetuta,
Ilijana Jotova pranoi të përfundojë mandatin e Rumen Radevit, gjë që e bëri atë
gruan e parë presidente të Republikës së Bullgarisë.
Rumen Radev dhe Ilijana Jotova
FOTO: BGNES
Sot ajo është një nga pretendentet për një mandat të rregullt në pallatin presidencial në “Dondukov” 2, së bashku me kandidatin e zgjedhur prej saj për zëvendëspresident, gazetarin dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA), Kirill Vëllçev.
Përveç tyre, në garën për postin marrin pjesë edhe 26 çifte të tjera kandidatësh për president dhe zëvendëspresident. Gjithsej, 6 nga kandidatët për kreun e shtetit janë gra.
Për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2009, partia politike GERB nuk paraqiti një çiftkandidatësh për president dhe zëvendëspresident. Ndërkaq, Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS), e drejtuar nga Deljan Peevski, u regjistrua për pjesëmarrje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pa paraqitur kandidat. E vetmja parti e përfaqësuar në parlament që ka propozuar liderin e saj si kandidat për president është “Vëzrazhdane” (Ringjallja).
Përvan Simeonov
FOTO: BTA
Sociologu nga agjencia “Mjara”, Përvan Simeonov, parashikoi për Radio Bullgarinë se do të jemi dëshmitarë të disa llojeve të fushatave: më institucionale, më të ashpra, më radikale dhe, me gjasë, të ashpra, por të zhvilluara nga jashtë skenës politike kryesore.
Sipas tij, do të jetë interesante të vëzhgohet se sa aktivë do të jenë votuesit. Fushata për zgjedhjet presidenciale është interesante edhe sepse tradicionalisht nuk nxjerr fitues që në raundin e parë dhe për zgjedhjen e presidentit nevojitet balotazh. Sipas Simeonovit, ky votim i dytë perceptohet nga zgjedhësit si një “finale futbolli” për kupën e vendit, ku zakonisht përballen dy rrymat politike më të mëdha të momentit.
Tema mbi të cilat kandidatët e ndryshëm duhet të vënë theksin janë gjithashtu jashtëzakonisht të rëndësishme në këtë lloj votimi:
“Me siguri do të dëgjojmë shumë tema gjeopolitike, si edhe tema që lidhen me cilësinë e jetesës. Një temë tjetër shumë e rëndësishme do të jetë ajo që shtabet e kandidatëve tashmë e kanë përgatitur. Siç u pa edhe tani, ata kanë kartat e tyre për një fushatë negative”, thekson Përvan Simeonov.
Ai i referohet deklaratës së deputetit Asen Vasilev nga “Po e Vazhdojmë Ndryshimin”, i cili pak ditë më parë njoftoi se, në cilësinë e saj si nënpresidente, Ilijana Jotova ka falur 28 persona, pesë prej të cilëve ishin dënuar për vepra penale të lidhura me narkotikët ose trafikimin e drogës. Rasti i njërit prej tyre, Ognjan Atanasov, i falur në vitin 2022 dhe i kapur sërish me drogë në vitin 2025, nxiti deputetë të grupit parlamentar të “Po e Vazhdojmë Ndryshimin” dhe “Bullgaria Demokratike” të kërkojnë tërheqjen e presidentеs aktuale nga gara zgjedhore.
FOTO: Alami/Rojters
Një nga temat gjeopolitike që nuk mund të shmanget është lufta në Ukrainë, për të cilën sociologu pret përplasjen e dy narrativave të ndryshme:
“Në njërin rast, me gjasë do të kemi qortime mbi boshtin ‘Perëndim – Lindje’, ndërsa në tjetrin do të flitet për nevojën e paqes dhe ndjekjen e interesit kombëtar. Të dyja këto narrativa kanë audiencën e tyre dhe me gjasë do të shihet se sa mbështetje gëzojnë. Unë nuk do të nxitoja me parashikimet, aq më tepër që ende nuk ka të dhëna. Në analizën politike kemi të drejtë të bëjmë supozimet tona. I imi është se të dy kampet nuk janë plotësisht simetrike për sa i përket mbështetësve dhe kjo ka të ngjarë të bëhet e dukshme që në raundin e parë.”
Paqëndrueshmëria politike, së cilës i kemi qenë dëshmitarë në vend gjatë viteve të fundit, na ka dhënë mundësinë të vëzhgojmë vazhdimisht sjelljen e kandidatëve që kërkojnë besimin tonë, si edhe mënyrat se si ata zgjedhin të komunikojnë me qytetarët. Shumë prej tyre kanë preferuar transmetimet e drejtpërdrejta në rrjetet sociale, më tepër sesa takimet e drejtpërdrejta me njerëzit në terren. A do të na ofrojë edhe kjo fushatë më shumë nga e njëjta gjë?
FOTO: arkiv
“Do ta vëzhgojmë, por mund të them se disa nga kandidatët janë të fortë në rrjetet sociale, ndërsa të tjerë mbështeten më tepër te tradita institucionale e takimeve me raste të ndryshme anembanë vendit. Këto janë dy qasje që kanë përparësitë e tyre të mundshme dhe me gjasë do t’i shohim të dyja, por nuk kam një parashikim se cila do të rezultojë më efektive.”
Gjatë muajit të ardhshëm të fushatës zgjedhore, do të dëgjojmë shumë edhe për temën e bullgarëve jashtë vendit, është i bindur Përvan Simeonov. Deri tani, kjo ka qenë një nga fushat kryesore të përgjegjësive të nënpresidentëve të vendit:
“Specifika e kësaj fushate është e tillë që njëri nga çiftet e kandidatëve ka një përvojë shumë të pasur aktivitetesh të zhvilluara ndër vite në këtë fushë. Arsyeja është se ai përfaqësohet nga një ish-nënpresident dhe nga një person, veprimtaria e të cilit ka qenë e orientuar drejt krijimit të rrjeteve mes bullgarëve jashtë vendit. Prandaj ka të ngjarë të dëgjojmë shumë për këtë temë. Nga ana tjetër janë kandidatë, elektorati i të cilëve ndodhet jashtë vendit dhe të cilëve do t’u drejtojnë mesazhet e tyre, pasi komunitetet më liberale kanë një numër të konsiderueshëm mbështetësish në emigracion. Bullgarët jashtë vendit do të jenë temë edhe për disa kandidatë më radikalë, me profil më nacionalist.”
Përvan Simeonov kujtoi se institucioni i presidentit nuk ka aq shumë kompetenca dhe përgjegjësi. Roli i tij lidhet më tepër me pozicionimin e Bullgarisë në arenën ndërkombëtare, si edhe me qëndrimin e saj ndaj komuniteteve bullgare jashtë vendit. Kjo tregon se bullgarët në emigracion do të jenë në qendër të fushatës jo aq për shkak të politikave që lidhen me marrëdhënien e tyre me atdheun dhe vendlindjen, sesa për shkak të politikave që kanë të bëjnë me identitetin e tyre.
Fushata zgjedhore për presidentin e shtatë të Bullgarisë fillon në orën 00:00 të datës 25 shtator dhe përfundon 24 orë para nisjes së zgjedhjeve, të cilat janë caktuar për më 25 tetor 2026.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva