Lajm
Sonja Jonçeva nis një talk show kulinar me yje të muzikës klasike
Hënë 16 Nëntor 2026 12:55
Hënë, 16 Nëntor 2026, 12:55
Sonja Jonçeva
FOTO: Stop kuadër
Madhësia e shkronjave
Më 17 nëntor 2026, një platformë kryesore për transmetimin e muzikës klasike do të shfaqë premierën e katër episodeve të para të emisionit të ri autorial të Sonja Jonçevës, "After Show" ("Pas shfaqjes"). Në të, ylli bullgar i operës ndërthur artin, kulinarinë dhe bisedat e sinqerta, përmes të cilave publiku do të njohë më nga afër disa prej muzikantëve më të shquar të muzikës klasike bashkëkohore, larg dritave të skenës.
Gjatë gatimit së bashku, Sonja dhe të ftuarit e saj zbulojnë anë më personale të vetes: karakterin, frymëzimet, filozofinë e jetës dhe përvojat e tyre, si edhe pikëpamjet për kulturën, artin dhe jetën në epokën moderne, njoftoi ekipi i primadonës bullgare të operës në një komunikatë për mediat.
Sonja Jonçeva dhe Vittorio Grigolo
FOTO: Organizatorët
"Besoj se, përveçse artistë të jashtëzakonshëm, partnerët e mi në skenë dhe të ftuarit e emisionit janë mbi të gjitha personalitete të spikatura. Dua t’i tregoj publikut një anë tjetër të karakterit, interesave dhe talenteve të tyre. Ky është dimensioni më intim i secilit prej nesh, ajo dritë që shikuesit rrallë kanë mundësi ta shohin. Fjalë për fjalë e ftojmë publikun në kuzhinat tona, e lejojmë të afrohet më pranë nesh dhe ndërtojmë një urë edhe më të drejtpërdrejtë midis artit dhe jetës”, shprehet Jonçeva.
Në episodet e para të shous, artistja e njohur bullgare mirëpret në kuzhinën e saj dy nga tenorët më të mëdhenj të kohës sonë, polakun Piotr Beczała dhe italianin Vittorio Grigolo. Më pas vijnë klarinetisti dhe dirigjenti i famshëm austriak Andreas Ottensamer, si dhe violinisti virtuoz gjerman David Garrett. Katër episodet do të jenë të disponueshme për t’u ndjekur në mbarë botën duke filluar nga 17 nëntori në platformën Medici.tv. Në edicionet e ardhshme priten takime me shumë personalitete të tjera frymëzuese dhe intriguese.
Sonja Jonçeva
FOTO: BTA
Sonja Jonçeva ka përvojë si prezantuese televizive që nga vitet e rinisë së saj në Bullgari. Bashkëpunimi i saj shumëvjeçar me kanalin global të muzikës klasike nisi në vitin 2010, kur ajo fitoi konkursin prestigjioz “Operalia”, ndërsa media e transmetoi për herë të parë garën në mbarë botën. Gjatë më shumë se 15 viteve të fundit, platforma ka transmetuar rregullisht koncertet, recitalet dhe shfaqjet e saj operistike.
“Për ta bërë muzikën klasike të arritshme për publik të ri, duhet të gjejmë mënyra të reja për të treguar historitë e saj. ‘After Show’ ofron një këndvështrim të freskët mbi disa nga artistët e jashtëzakonshëm që i japin jetë këtij arti. Jemi të lumtur të jemi pjesë e këtij fillimi të ri emocionues në rrugëtimin krijues të Sonja Jonçevës”, thotë Chloé Falgas, drejtoreshë ekzekutive e platformës.
Formati “After Show” është krijuar nga kompania producentе e Sonja Jonçevës, SY11 Events.
Lexoni më shumë për këngëtaren operistike bullgare me fame botërore, SonjaJonçeva, në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Sonja Jonçeva dhe Domingo Hindojan pushtojnë skena dhe teatro të reja në SHBA
- Sonja Jonçeva dhe Domingo Hindoyan me albumin e parë së bashku
- Sonja Jonçeva ndërton ura mes muzikantëve bullgarë dhe atyre botërorë
- Sonja Jonçeva ishte e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Oscar”
- Opera botërore pret një rekord të ri nga bullgarja Sonja Jonçeva
- Prima e operës Sonja Jonçeva do të ndajë skenën me José Carreras dhe Plácido Domingo në zemër të Sofjes sonte
- Sonja Jonçeva: Kultura është çelësi për një shoqëri më të mirë
- Sonja Jonçeva mori çmimin e BNR "Muzikanti i Vitit"
- Sonja Jonçeva - zëri bullgar i operës nga skenat botërore
- Sonja Jonçeva çon yjet e skenës botërore të operës në vendin tonë
Redaktoi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva
- #art
- #operë
- #Sonja Jonçeva
- #Vittorio Grigolo
- #publik
- #muzikantë
- #muzikë operistike
- #premierë
- #biseda
- #kulinari
- #konkursi "Operalia"
- #Piotr Beczała
- #muzikë klasike
- #Sonya Yoncheva
- #talk show
- #yje të muzikës klasike
- #talk show kulinar me yje të muzikës klasike
- #shou
- #"After Show" ("Pas shfaqjes")
- #Andreas Ottensamer
- #platformë kryesore për transmetimin e muzikës klasike
- #David Garrett
- #Chloé Falgas
- #talk show kulinar