LAJME

Lajm

Vazhdon hetimi për shkaqet e aksidenteve në autostradën "Trakia"

Mërkurë, 11 Nëntor 2026, 17:49

Vazhdon hetimi për shkaqet e aksidenteve në autostradën "Trakia"

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Mbi 50 dëshmitarë janë marrë në pyetje në kuadër të hetimit për shkaqet që çuan në aksidentet zinxhirore në autostradën "Trakia" më 10 nëntor, si pasojë e të cilave humbën jetën 11 persona dhe 51 të tjerë mbetën të plagosur.

Prokuroria njoftoi se vazhdojnë marrjet në pyetje të dëshmitarëve që ndodhen në spitale dhe janë në gjendje të japin dëshmi. Gjatë hetimit janë kryer gjashtë inspektime të vendit të ngjarjes me mjete teknike, përfshirë edhe dronë.

Janë sekuestruar 20 automjete që kanë pasur një rol më të rëndësishëm në aksident, të cilat do t'i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme. Gjithashtu, janë marrë mostra nga shtresa e asfaltit për të testuar nivelin e aderencës së saj.

Vazhdon hetimi për shkaqet e aksidenteve në autostradën "Trakia"

FOTO: BTA

Të lënduarit po trajtohen në spitalet e Sllivenit, Jambollit dhe Burgasit. Dy persona janë transportuar në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Sofje, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, nga shoqata e sektorit të asistencës rrugore është kërkuar një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev, për shkak të problemeve që lidhen me automjetet e larguara nga vendi i aksidentit, njoftoi reporteri ynë Dobromir Videv.

Nga shoqata bëjnë të ditur se automjetet janë zhvendosur në një parking privat dhe se kanë marrë sinjale sipas të cilave pronarëve u kërkohen para për t'i tërhequr ato. Sipas shoqatës, bëhet fjalë për parkingun e Dinko Vëlev, i njohur edhe si Dinko nga Jambolli, i cili u bë i njohur për organizimin e patrullave civile kundër migrantëve. Shoqata kërkon verifikimin e këtyre sinjaleve.

Policia në Jamboll ka kryer një kontroll në parking, pa saktësuar pronësinë e tij, dhe deri më tani nuk janë konstatuar shkelje. Nga Ministria e Punëve të Brendshme bënë të ditur se pas incidentit një pjesë e automjeteve u janë kthyer pronarëve, ndërsa ato që përbëjnë prova materiale në hetim ndodhen në një parking të ruajtur, njoftoi reporteri ynë.


Lexoni më shumë:


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva