SHOQËRI

Artikull

Nga kutia jonë postare gjatë majit:

Letra drejtuar Radio Bullgarisë: “Е rëndësishme është fryma e programeve”

Martë, 9 Qershor 2026, 11:54

Letra drejtuar Radio Bullgarisë: “Е rëndësishme është fryma e programeve”

FOTO: Desisllava Semkovska

Madhësia e shkronjave

Gjatë majit shumë nga letrat tuaja, miq të dashur nga e gjithë bota, ishin të lidhura me festat e mëdha që kremtojmë, si Dita e Shën Gjergjit (6 maj), Dita e Radios (7 maj) dhe 24 maji – Dita e vëllezërve të shenjtë Kirill dhe Metodij, e alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare, dhe e letërsisë sllave:

“Gëzuar Shën Gjergjin! Jemi me ju, BG!”, shkroi në bullgarisht në faqen e Redaksisë së Gjuhës Shqipe  miku ynë Erlin Ago.

“Më 7 maj, në këtë ditë, në vitin 1895, shkencëtari rus Aleksandër Popov paraqiti shpikjen e tij për transmetimin dhe pranimin e luhatjeve elektrike në distanca pa përçues, përmes një zileje elektrike, dhe në vitin 1899 ai zëvendësoi këtë zile elektrike duke montuar një kufje radio, me të cilën sinjalet tashmë mund të pranoheshin me dëgjim. Kjo ditë konsiderohet si Dita e Radios. Të dashur miq të Radios Kombëtare Bullgare, dua personalisht t’ju përgëzoj dhe t’ju uroj festën. Pavarësisht teknologjive moderne, radioja mbetet ende i vetmi burim i fortë dhe i fuqishëm informacioni. Të dashur miq të Radio Bullgarisë, edhe pse programet tuaja nuk transmetohen më në valë, për ne ju mbeteni sërish një stacion i besueshëm radio, pavarësisht se tashmë transmetoni online. Nuk ka rëndësi mënyra e shpërndarjes së programeve, e rëndësishme është fryma me të cilën na i paraqitni ato. Ju uroj një festë të gëzuar dhe edhe shumë vite të tjera pune.” – na shkroi dëgjuesi ynë Bozhidar Cvetanov nga Pleveni (Bullgaria Veriore).

Ai na përshëndeti me këngën “Radio” të grupit “Signall”, e regjistruar drejtpërdrejt përmes të vetmit transmetues bullgar me valë të mesme – atij në Vidin.

Dhe posaçërisht për ne ai ofron një fotografi të një radiomarrësi nga koleksioni i tij personal. Faleminderit!


FOTO: Bozhidar Cvetanov

Dhe ja urimet për festën unike bullgare të 24 majit, alfabetit, arsimit dhe kulturës kushtuar, që na i dërguan dëgjuesit e Redaksisësë Gjuhës Shqipe:

“Gëzuar festën, Bullgaria ime” – shkroi në bullgarisht Selvi Pupuleku Canga /"Честит празник, моя България"/ dhe gëzuar të gjithëve, na përshëndeti  Remzije Zeneli.

Urime për 24 maj dhe për 21 maj – ditën e Shën Kostandinit dhe Elenës, morëm gjithashtu nga Majlinda Bojaxhiu dhe Lek Bushpepa.

 “Reagim i madh u mor pas fitores së DARA‑s në ‘Eurovision 2026’:

Muhamet Shala nga Kosova: “Shumë urime fitoren dhe suksese në çdo lajm të jetës për popullin bullgar.”

Kolo Nina: “Bullgaria po ecën me guxim drejt majave të zhvillimit në dobi të popullit bullgar!’

Përkthyesja dhe figura e njohur publike në Shqipëri, Milena Selimi, na shkroi: ‘Votova! 20 vota nga Shqipëria’, dhe premtoi se vitin e ardhshëm do të jetë në ‘Eurovision’ në Bullgari.”

“Morëm edhe shumë urime në formë stekeresh nga Medial Kamberi,

Lumturi Musaku, Shuaip Memishaj, Qemal Vllacaj, Flori Vllacaj,

Arnold Gordani,  Ardita Neziraj,  Erlin Ago, Теу Та,   

Ajten Vllacaj, Tahir Sejranaj, Avi Sinanov... Ju falënderojmë përzemërsisht, të dashur miq!

“I bashkohem urimeve me rastin e fitores së këngëtares Dara në konkursin ‘Eurovision’. Me padurim do të pres ‘Eurovision’-in që do të zhvillohet në vendin tonë vitin e ardhshëm. Kartolinat që më dërguat janë shumë të bukura! Faleminderit për programet interesante! Sinjal të pastër dhe 73!” - Aleksandër Gollubev, Rusi

“Namaste nga India! Më pëlqen shumë emisioni juaj ‘Bullgaria sot’  (‘Bulgaria Today’) në gjuhën angleze, por sot më pëlqeu veçanërisht programi shumë informativ për Dara dhe ‘Bangarang’-ën e saj plot pasion. Më pëlqen edhe parashikimi juaj i motit. Radiot e tjera nuk transmetojnë parashikim moti. Më pëlqeu gjithashtu diskutimi me Ivan Ivanov, i cili fokusohet te historitë e emigrantëve bullgarë nga Amerika. Më pëlqeu shumë mënyra se si ai flet.” - Ratan Kumar Paul, Indi

FOTO: Desisllava Semkovska

Ja  përshtypje për kartolinat tona QSL:

“Ju falënderoj për emisionet tuaj që gjithmonë janë kaq të bukura dhe intersante. Ju falënderoj edhe për kartolinat QSL jashtëzakonisht të bukura. Seria e re The History of BNR është bërë jashtëzakonisht mirë. Ajo i përshtatet në mënyrë të shkëlqyer edhe librit që planifikoj të shkruaj.” - Helmut Matt, Gjermani.”

“Me urimet më të mira! Faleminderit për kartolinën QSL për muajin mars, kushtuar 90‑vjetorit të Radio Bullgarisë. Faleminderit për emisionet interesante!” - Anatoli Klepov, Rusi, redaktor i buletinit për radioamatorë “Rusia‑DX”.

“Kartolina QSL është një nga veprat vizuale më unike të artit, të lidhura me traditën e transmetimeve në valë të shkurtra. Deri sot Radio Bullgaria e ruan traditën e botimit të kartolinave QSL në letër – kartolina përkujtimore që u dërgohen dëgjuesve si konfirmim për raportet e pranuara mbi emisionet e dëgjuara. Në epokën kur nuk kishte mesazhe të menjëhershme, kjo ishte një lidhje që kapërcente male dhe dete. Edhe sot kartolina QSL mbetet një ‘shembull i gjallë i peizazhit’, në të cilin era vendase dhe drita e Bullgarisë përcjellin pandalshëm mendimet e dëgjuesve. Nuk mund të kthehemi në kohët e ngadalta të së kaluarës, por mund të ruajmë për veten tonë butësinë e ngadaltë përmes një kartoline të vogël QSL.” - Mei Lin, Kinë

Në një atmosferë miqësore u zhvillua takimi i 45‑të ndërrajonal i entuziastëve të DX më 16 maj – na njofton Bernd Seiser nga Gjermania:

“Adhurues të pranimit ndërkombëtar të radios nga Baden‑Württemberg, Bavaria, Berlini, Hessen, Saksonia e Ulët, Schleswig‑Holstein, Tyringia, Belgjika, Holanda dhe Tajvani u mblodhën për herë të 45‑të në luginën e lumit Murg.”

Bernd Seiser falënderon të gjitha radiostacionet dhe shtypin për informacionin rreth këtij aktiviteti.

FOTO: Bernd Seiser

Dhe ja edhe disa prej përshtypjeve për programet tona, që ju arrijnë çdo ditë pune:

E vlerësoj shumë mundësinë për të dëgjuar muzikë të larmishme nga vendi juaj, të cilën zakonisht nuk kam rastin ta dëgjoj,’ – na shkruan Hiroshi Katayama nga Japonia. – Nga sa kuptova, popullsia e Bullgarisë është midis 6 dhe 7 milionë banorë. U befasova kur dëgjova në emisionin e sotëm se rreth 3 milionë bullgarë jetojnë jashtë vendit – më është e vështirë të imagjinoj një numër kaq të madh bullgarësh që jetojnë jashtë. Si një shtet ishullor, kjo është diçka që rrallë e shohim në Japoni.”

“Përshëndetje të ngrohta nga Pakistani. Më pëlqejnë gjithmonë shumë programet tuaja. Lajmet dhe reportazhet tuaja aktuale bazohen në fakte dhe paraqiten me kompetencë të shkëlqyer gazetareske. Ato më ndihmojnë të kuptoj kulturën botërore dhe ngjarjet në një mënyrë shumë të qartë dhe të thjeshtë. E lexova artikullin për filmin dokumentar ‘Shpirti i pabarabartë’.Ishte shumë interesante dhe emocionuese të mësoja sa thellë njerëz nga vende të ndryshme e duan folklorin bullgar. Historitë e zviceranëve, amerikanëve dhe japonezëve që i kanë kushtuar jetën e tyre vallëzimit dhe kulturës bullgare janë vërtet frymëzuese. Është e mrekullueshme se si kultura mund të lidhë zemrat në mbarë botën pa asnjë lidhje familjare apo kombëtare. Puna e Sofia Stojçevës tregon një përpjekje të madhe në ndarjen e këtyre historive njerëzore në shumë vende. Ajo gjithashtu tregon se traditat bullgare jetojnë në shumë pjesë të botës përmes muzikës dhe vallëzimit. Ky artikull më bëri të ndiej respekt për identitetin kulturor bullgar dhe shtrirjen e tij globale.” - Muhammad Aqeel Bashir, Pakistan

FOTO: Desisllava Semkovska

“Me shumë kënaqësi dhe interes vazhdoj të dëgjoj emisionet e Radio Bullgarisë.” - Konstantin Pravotorov, Ukrainë

“Ju falënderoj shumë që rregullisht konfirmoni raportet e mia dhe për mundësinë për të marrë kartolina QSL. Ato janë shumë interesante si nga pikëpamja historike, ashtu edhe për temat që paraqesin.” - Andrej Novgorodski, Ukrainë

Harkivi në maj

FOTO: Andrej Novgorodski

“Gjithmonë i dëgjoj me kënaqësi programet tuaja të mrekullueshme dhe i shijoj shumë. Faleminderit shumë!” - Ram Babu Kumar, Indi

“Të dashur miq të Radio Bullgarisë, përshëndetje të përzemërta nga Argjentina. E shijoj shumë programin tuaj përmes podcast‑it, i cili është gjithmonë kaq i larmishëm dhe kulturor. Më gëzon shumë fakti që ka rubrikë Mail Box në gjuhën angleze, ku lexoni letra të ardhura nga e gjithë bota. Shpresoj që së shpejti të ketë sërish një program të tillë edhe në gjuhën spanjolle.

Dua t’ju falënderoj për kartolinat e bukura QSL që mora nga ju me postë. Me dashuri, dëgjuesi juaj David Iurescia.

“Pata kënaqësinë t’i dëgjoj emisionet tuaja – ja edhe raportet e mia për QSL. Lexoj informacionin tuaj mujor për to në faqen e BNR‑së – kështu mësoj shumë për historinë e radios bullgare.” - Simon-Peter Liehr, Gjermani

“Përshëndetje nga kopshti ynë”

FOTO: Simon-Peter Liehr, Gjermani

“Shumë radiostacione ndërkombëtare hasin vështirësi për të gjetur njerëz që zotërojnë mjaftueshëm gjuhë të huaja. Për shembull, RAE, radioja argjentinase, ndërpreu transmetimet në gjuhën frënge pasi u largua i vetmi punonjës frankofon. Kam dëgjuar komente nga dëgjues që bëjnë thirrje për rikthimin e transmetimeve në valë të shkurtra. Nuk jam dakord, sepse kjo teknologji konsumon shumë energji dhe për këtë arsye është shumë e kushtueshme. Megjithatë, nëse dëshiron të arrish vende ku nuk ka demokraci, valët e shkurtra janë të dobishme – por jo për transmetim drejt Evropës Perëndimore, Amerikës dhe shumë vendeve të tjera. Çfarëdo që të ndodhë, Radio Bullgaria do të mbetet gjithmonë shumë interesante për t’u dëgjuar. Faleminderit shumë dhe përshëndetje të përzemërta nga Franca.” - Jean‑Michel Aubier

“Përshëndetje të ngrohta nga Valladolid. Ashtu si gjithmonë, me kënaqësi ulem dhe ju shkruaj disa rreshta për të vazhduar ta mbajmë këtë lidhje të afërt që kemi ndërtuar me kalimin e kohës. Ju falënderoj, si gjithmonë, që vazhdoni të jeni këtu dhe për punën që bëni. Për ne, që jemi në anën tjetër, sinjali juaj do të thotë shumë më tepër sesa thjesht një program radioje. Një përqafim i madh nga Spanja dhe deri herën tjetër.” - Juan Carlos Pérez Montero, Spanjë

FOTO: Juan Carlos Pérez Montero

“Ju falënderoj shumë që flisni për Bullgarinë në gjuhën spanjolle. Programet tuaja janë shumë interesante dhe më ndihmojnë të mësoj për vendin tuaj nga ky cep i botës.” - Salvador Rojas, Meksikë

“Po ju dërgoj raport nga Suedia. Jam një punëtor ndërtimi në pension, 77‑vjeçar, dhe jetoj në një fshat të vogël të quajtur Ridobruk. Interesohem për sesionet DX që nga viti 1965 dhe jam anëtar i Federatës Suedeze të DX‑it. Ju falënderoj që transmetoni muzikë interesante. Është gjithmonë kënaqësi të dëgjosh muzikë të re.” - Tore Gunnarsson

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva