SHOQËRI

Artikull

“Bangaranga” bëri që bullgarët në mbarë botën të ndihen të lidhur dhe krenarë

Triumfi i DARA entuziazmoi edhe më shumë pjesëmarrësit e edicionit të 11-të të festivalit “Në mejdanin e Bullgarisë tjetër”

Martë, 19 Maj 2026, 19:55

“Bangaranga” bëri që bullgarët në mbarë botën të ndihen të lidhur dhe krenarë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Fitorja e DARA në “Evrovizion 2026” nuk ishte thjesht një triumf muzikor. Ajo u kthye në një moment emocional të bashkimit kombëtar për mijëra bullgarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët për muaj të tërë ndoqën çdo hap të këngëtares bullgare, organizuan ndjekje të përbashkëta të konkursit, flashmob-e dhe fushata në rrjetet sociale për të mbështetur Bullgarinë në rrugën drejt kësaj fitoreje historike.

Nga Vjena deri në Berlin, nga Londra deri në Amsterdam, “Bangaranga” po tingëllon si himni i një komuniteti që shpesh jeton larg atdheut, por nuk pushon së mbajtur Bullgarinë në zemër. Pikërisht aty – mes komuniteteve bullgare në Evropë – DARA gjeti një nga mbështetjet më të forta përpara finales së madhe. Në javët para konkursit, ajo u takua me dhjetëra bullgarë në qytete të ndryshme evropiane, ndërsa pamje nga këto takime u shpërndanë gjerësisht në grupet e Facebook-ut të organizatave bullgare dhe qendrave kulturore.

 


Pas fitores, rrjetet sociale u mbushën me video, flamuj bullgarë dhe mesazhe emocionuese. Nga “Art Teatër” në Berlin shkruan: “Mirë se erdhe, DARA! Kjo video është për të gjithë bullgarët jashtë atdheut që e mbështetën pa rezervë DARA-n! BANGARANGA!”

Një mesazh i veçantë për fituesen e “Evrovizionit 2026” u dërgua edhe nga bashkatdhetarët tanë në komunitetin më të madh bullgar, ai në Çikago të ShBA-së. Gjatë Paradës Bullgare, të mbajtur më 17 maj, ata kënduan “Bangaranga” dhe shkruan: “Një përshëndetje speciale për DARA nga bullgarët në Çikago – kur një “Bangaranga” bashkon zemrat!”

Reagimet e bullgarëve nga vende të ndryshme, me të cilët Radio Bulgaria u takua gjatë Festivalit“Në mejdanin e Bullgarisë Tjetër”, treguan se sa personalisht është përjetuar kjo fitore nga bashkatdhetarët tanë jashtë vendit.

Cvjatko Krëstev dhe Ansambli "Ralica" nga Frajburg

FOTO: Joan Kolev

Për Radio Bulgarinë, Cvjatko Krëstev e cilësoi këtë sukses si një njohje të shumëpritur:

“Një fitore e merituar. Bullgaria mbi gjithçka – jo si nacionalizëm, por si konstatim. Më në fund morëm atë që na takon.”

Sipas tij, pritja e Evrovizionit 2027 nga Bullgaria ka një kuptim shumë më të thellë sesa thjesht efekti ekonomik:

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Bullgaria të rifitojë forcën dhe rëndësinë e saj në kontinent dhe në botë në përgjithësi.”

Stanisllava Todorova

FOTO: Joan Kolev

“Gëzim! Bullgaria arriti të fitojë” – kështu e përshkroi triumfin bullgar në konkursin e këngës, Stanisllava Todorova. Ajo e sheh suksesin e DARA si frymëzim për të rinjtë:

“Kjo është ndoshta një motivim që të rinjtë duhet të ndjekin ëndrrat e tyre.”

Veçanërisht emocional ishte reagimi i Ivan Bançev, i cili e lidh këngën “Bangaranga” me ndjesinë e lirisë dhe vetëbesimit: “Të besojmë në veten tonë, të jemi më të sigurt dhe të jemi më të guximshëm, më të lirë dhe më të gëzuar.”  

Ivan Bançev nga Ansambli Folklorik "Bullgaria e Bukur" - Madrid

FOTO: Joan Kolev

Ai gjithashtu vë në dukje simbolikën e kukerëve në këngë dhe në imazhin e DARA: “Ashtu siç në traditë ne largojmë forcat e liga dhe gjërat e këqija – pikërisht ky ishte mesazhi i këngës.” Sipas Ivan Bançev, mikpritja e konkursit nga Bullgaria do t’i tregojë botës imazhin e vërtetë të vendit: “Do të shohin kulturën tonë – sa e bukur është, sa njerëz të mirë jemi.”

 

Këngëtari popullor Denisllav Kehajov gjithashtu foli për ndikimin e fortë të këngës te bullgarët jashtë vendit, duke theksuar jehonën që ajo ka mes pjesëmarrësve të festivalit shëtitës “Në mejdanin e Bullgarisë Tjetër” në Mynih: “Emri bullgar sërish do ta pushtojë botën. Në çdo hap e këndojnë dhe argëtohemi.”

Denisllav Kehajov në kohën e valles së madhe në Mynih

FOTO: Joan Kolev

Ndoshta më domethënëse për përmasën e mbështetjes është reagimi i Detelinës, e cila gjithashtu është mes pjesëtarëve të festivalit “Në mejdanin e Bullgarisë tjetër” dhe tregon për ndjekjen e përbashkët të finales së Evrovizionit 2026 së bashku me pjesëmarrës të tjerë të këtij aktiviteti folklorik – bullgarë nga 21 vende:

Detelina - një nga pjesëmarrëset në Festivalin “Në mejdanin e Bullgarisë tjetër”

FOTO: Йоан Колев

“Të gjithë pjesëmarrësit e festivalit morën telefonat dhe votuan që të fitojmë. Një fitore e madhe si prestigj” – tha Detelina, gjithashtu pjesëmarrëse në “Në mejdanin e Bullgarisë tjetër”, para gazetarit të Radio Bulgarisë Joan Kolev.

Pikërisht kjo ndjenjë u shndërrua në efektin më të madh të triumfit të DARA – jo vetëm një fitore në një konkurs muzikor, por një moment i rrallë në të cilin bullgarët në mbarë botën u ndjenë të lidhur, të dëgjuar dhe krenarë. “Bangaranga” doli të ishte më shumë se një këngë – ajo u bë simbol i përkatësisë, energjisë dhe shpresës se Bullgaria mund të njihet për talent, kulturë dhe sukses.

Lexoni më shumë:


Intervista: Joan Kolev

Teksti: Elena Karkalanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova