SHOQËRI

Artikull

QSL Nr. 11: 1970 – Fillon ndërtimi i godinës “së re” të BNR-së

Mërkurë, 4 Nëntor 2026, 16:32

QSL Nr. 11: 1970 – Fillon ndërtimi i godinës “së re” të BNR-së

FOTO: Desisllava Semkovska

Madhësia e shkronjave

Në vitin 2026, Radio Bullgaria konfirmon raportet e radioamatorëve me një seri të re prej 12 kartolinash QSL. Imazhi i secilës prej tyre vë në qendër të vëmendjes një ngjarje të veçantë historike, të lidhur me historinë e Radios Kombëtare Bullgare dhe programit “Radio Bullgaria”, i cili feston 90-vjetorin e tij. Në fillim të çdo muaji, në një publikim të posaçëm ju tregojmë fakte interesante që lidhen me këto imazhe.

Kartolina e njëmbëdhjetë QSL për vitin 2026 i kushtohet ndërtesës “së re” të Radios Kombëtare Bullgare.

Për të siguruar më shumë hapësirë pune dhe teknike për radion kombëtare me programe të shumta dhe numrin e madh të punonjësve të saj, në fund të viteve 1960 u mor vendimi për ndërtimin e një godine të re. Guri i parë themeltar i shtëpisë së re të Radios Kombëtare Bullgare (BNR) u vendos më 17 gusht 1970. 

QSL Nr. 11: 1970 – Fillon ndërtimi i godinës “së re” të BNR-së

FOTO: archives.bnr.bg

Ndërtesa e re në bulevardin “Dragan Cankov” nr. 4, e vendosur pranë godinës së parë të pavarur të medias, të cilën sot e quajmë “ndërtesa e vjetër” e Radios Kombëtare Bullgare (BNR),  është një monument i veçantë arkitekturor. Ideja për konstruksionin e saj karakteristik, që ngrihet në formën e një piramide të përmbysur, vjen nga erkerët e shtëpive tradicionale bullgare të Rilindjes Kombëtare, katet e sipërme të të cilave dalin përtej atyre të poshtme.

Kjo është gjithashtu një nga ndërtesat e para në Bullgari me konstruksion tërësisht prej çeliku dhe me mure prej gipsi. Projekti është vepër e arkitektit të njohur bullgar Georgi Stojllov, i cili në atë kohë ishte kryetar i Bashkisë së Sofjes, dhe e kolegut të tij të ri, Dimitër Andrejçin.

Godina administrative u ndërtua në një afat rekord dhe u inaugurua në vitin 1972. Gjatë viteve ajo strehoi Komitetin për Radio dhe Televizion, ndërsa pas vitit 1990, kur komiteti u shpërbë, në të u vendosën administrata dhe redaksitë gazetareske të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), përfshirë edhe Radio Bullgarinë.

Për të marrë një kartolinë QSL të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), duhet të na dërgoni një raport ku të shënoni datën dhe gjuhën e programit të dëgjuar (për “Radio Bullgarinë”), ose datën, orën dhe frekuencën e transmetimit të dëgjuar (për programet e tjera të BNR-së), si dhe hollësi për përmbajtjen e tij.

Raportet mund t’i dërgoni në mënyrën që ju përshtatet më shumë:

me e-mail në adresën: reception.report@bnr.bg

me postë në adresën: Bullgari, Sofje 1040, bulevardi “Dragan Cankov” nr. 4, BNR, Desisllava Semkovska

Është e detyrueshme të shënoni një adresë postare për përgjigje.

Kujtojmë se BNR-ja konfirmon raportet për programet e dëgjuara edhe me seri më të vjetra kartolinash QSL. Nëse dëshironi të merrni ndonjërën prej tyre, ju lutemi ta saktësoni në raportin tuaj.


Shihni edhe historinë pas kartolinave të tjera QSL nga seria e re e BNR-së:



Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva