LAJME

Lajm

Përgatiten masa për sigurinë rrugore pas aksidenteve në autostradën “Trakia”

Enjte, 12 Nëntor 2026, 17:58

Përgatiten masa për sigurinë rrugore pas aksidenteve në autostradën “Trakia”

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Ministria e Transportit po harton 31 masa për përmirësimin e sigurisë rrugore, pas aksidenteve të rënda në autostradën “Trakia”, ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën 50 të tjerë. Këtë e bëri të ditur ministri i transportit, Georgi Peev. Sipas tij, problemi kryesor është mungesa e koordinimit të duhur ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sigurinë e qarkullimit rrugor. Ai theksoi se grupi i punës i ngritur për këtë çështje po punon pa ndërprerje.

Të plagosurit janë shtruar në spitalet e Slivenit, Jambollit, Burgasit dhe Sofjes. Tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa njëri është në rrezik për jetën. Disa nga personat e shtruar në spital janë liruar tashmë.

Qindra qytetarë vazhdojnë të dhurojnë gjak në ndihmë të të plagosurve. Gjithsej 567 persona në mbarë vendin kanë marrë pjesë në aksionin e dhurimit të gjakut, të organizuar nga Kryqi i Kuq Bullgar dhe Qendra Kombëtare e Hematologjisë Transfuzive, njoftoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ministrisë së Brendshme në Jamboll, komisioneri i lartë Dobrin Dimitrov, deklaroi se është marrë garancia nga pronari i parkingut privat, ku janë dërguar automjetet e dëmtuara në aksidentet zinxhir, se pronarët e tyre nuk do të paguajnë për qëndrimin e makinave në parking. Një ditë më parë ishin marrë denoncime për kërkesa për pagesë për qëndrimin e automjeteve në parkingun e Dinko Vëlevit, i njohur publikisht si “gjuetar i emigrantëve”.

Lexoni më shumë për aksidentet tragjike në autostradën "Trakia" nga postimet e lidhura:

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova