Autor
Andrej Borisov
Lajm
Ekspozitë në zemër të Sofjes prezanton mendjet e jashtëzakonshme të Bullgarisë
Martë 17 Nëntor 2026 19:14
Martë, 17 Nëntor 2026, 19:14
FOTO: Shoqata e Ekipeve Olimpike të Shkencave Natyrore
Madhësia e shkronjave
“Мendje të jashtëzakonshme” titullohet ekspozita e vendosur në zemër të Sofjes, në “Urën e të Dashuruarve”, pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK). Ajo synon të ngjallë krenarinë kombëtare dhe të përforcojë besimin se talentet bullgare kanë një vend të merituar në majat e Olimpiadave Ndërkombëtare, të cilin e kanë fituar me shumë punë, kureshtje dhe këmbëngulje.
FOTO: Shoqata e Ekipeve Olimpike të Shkencave Natyrore
Fotografitë e Kostadin Krëstev-Koko sjellin në vëmendje kontributin e Bullgarisë në historinë e Olimpiadave Ndërkombëtare dhe na njohin me “Nxitësit e rinj të dijes” – nxënësit e ekipeve kombëtare dhe drejtuesit e tyre në matematikë, fizikë, kimi, biologji, informatikë, gjuhësi, astronomi dhe astrofizikë, gjeografi dhe inteligjencë artificiale. Gjatë vitit shkollor 2025/2026, ata i sollën Bullgarisë 40 medalje në nëntë Olimpiadat kryesore ndërkombëtare: 5 medalje ari, 15 argjendi dhe 20 bronzi. Nëse llogariten edhe medaljet e fituara në olimpiadat evropiane, ballkanike, rinore dhe në gara të tjera ndërkombëtare, numri i përgjithshëm arrin në 108.
FOTO: BTA
“Gjatë sezonit 2025-2026, olimpistët e valëvitën me krenari flamurin bullgar në mbarë botën. Ata shkëlqyen me dijet dhe aftësitë e tyre. Ekspozita është krijuar me shpresën se do të frymëzojë gjithnjë e më shumë fëmijë të interesohen për shkencën, të ushqejnë kureshtjen dhe të bëhen olimpistët e ardhshëm. Një element shumë i rëndësishëm është edhe rikthimi i kontributit në komunitet – më shumë se gjysma e drejtuesve të ekipeve këtë vit janë ish-olimpistë” - tha Elena Marinova nga Shoqata e Ekipeve Olimpike të Shkencave të Natyrës, e cila e organizon ekspozitën në bashkëpunim me një rrjet të madh tregtar, Bashkinë e Sofjes dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Elena Marinova
FOTO: BTA
“Personalisht mendoj se në Bullgari ka shumë talente, por është vërtet e rëndësishme që t’i nxisim dhe t’i mbështesim, në mënyrë që këto talente të zhvillohen dhe të vihen në jetë. Pikërisht për këtë arsye, ekspozita të tilla janë të nevojshme, pasi mund të shërbejnë si një nxitje për të rinjtë” - thotë Aleksandër Bangaçev, fitues i medaljes së argjendtë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës.
Aleksandër Bangaçev
FOTO: Shoqata e Ekipeve Olimpike të Shkencave Natyrore
Pjesë e këtyre mendjeve të reja dhe të talentuara të Bullgarisë është edhe Petër Popov, nga qyteti i Gocë Dellçevit. Fituesi i medaljes së bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës, e cila u zhvillua këtë verë në Kolumbi, aktualisht është student i vitit të parë në Fakultetin e Matematikës dhe Informatikës në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Ai është gjithashtu pjesë e programit prestigjioz kërkimor EXPLORER të institutit INSAIT.
“Përgatitem duke zgjidhur problema, duke lexuar tekste mësimore dhe libra. Suksesi është rezultat i këmbënguljes, punës dhe përgatitjes së vazhdueshme. Një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim kanë drejtuesit tanë dhe kurset përgatitore të organizuara nga Shoqata e Ekipeve Olimpike të Shkencave të Natyrës.”
Për të fituar medalje dhe rezultate të mira, të rinjtë mbështeten edhe te ndihma e personave që i përgatisin për olimpiadat.
Allbena Jordanova
FOTO: BTA
“Tek ne vijnë si diamante të papërpunuara dhe u duhet shumë pak që të arrijnë përsosmërinë që do t’i çojë në majat e olimpiadave botërore”, thotë Allbena Jordanova, drejtuese e ekipit të biologjisë.
Ky është edicioni i tretë i ekspozitës “Mendje të jashtëzakonshme”, e cila mund të vizitohet në qendër të Sofjes deri më 30 nëntor. Më pas, ekspozita do të udhëtojë edhe në vende të tjera. Edicioni i mëparshëm i ekspozitës u prezantua në 33 qytete të Bullgarisë dhe në tri shkolla bullgare të së dielës jashtë vendit, me synimin që sa më shumë njerëz të njihen me arritjet dhe historitë e olimpistëve bullgarë.
Lexoni më shumë për arritjet e nxënësve bullgarë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Medalje për nxënësit bullgarë në Olimpiadën e Astronomisë dhe Astrofizikës
- Ekipi bullgar fitoi 5 medalje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Astronomisë
- 10 medalje fituan nxënësit bullgarë në Olimpiadën e Gjuhës Angleze
- 68 medalje për nxënësit bullgarë në olimpiada ndërkombëtare
- Pesë medalje për Bullgarinë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomisë në Kinë
- Të gjithë gjimnazistët bullgarë që morën pjesë në IMO fituan medalje
- Nxënësit bullgarë fituan medalje në IPhOnë Kolumbi
- Katër medalje për nxënësit bullgarë në Olimpiadën Ballkanike të Fizikës
- 4 medalje fitoi ekipi bullgar në Olimpiadën Evropiane të Fizikës
- Nxënësit bullgarë fituan katër medalje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Astronomisë dhe Astrofizikës në Rumani
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #gjeografi
- #medalje
- #ekspozitë fotografike
- #punë
- #informatikë
- #olimpiadë
- #fotografi
- #kimi
- #matematikë
- #fizikë
- #inteligjenca artificiale
- #biologji
- #gjuhësi
- #medalje
- #këmbëngulje
- #ekspozitë
- #Shoqata e Ekipeve Olimpike të Shkencave Natyrore
- #olimpiadë ndërkombëtare
- #kureshje
- #astronomi dhe astrofizikë
- #diamant të papërpunuar
- #Ekspozita “Мendje të jashtëzakonshme”
- #Shoqata e Ekipeve Olimpike